
Tensionet e mëdha mes Ukrainë dhe Rusisë po vazhdojnë.
Dita e nëntë e luftës në Ukrainë është shënuar me incidente të mëdha, transmeton Reporteri.net.
Forcat ruse sulmuan termocentralin më të madh bërthamor në Evropë në Ukrainën juglindore duke shkaktuar zjarr të madh që më pas u shua.
Sipas autoriteteve ukrainase, disa persona janë vrarë apo janë plagosur si pasojë e sulmit te centrali bërthamor.
Sipas agjencisë bërthamore të OKB-së, asnjë dëm nuk u shkaktua në reaktorët e centralit bërthamor në Zaporizhja.
Forcat ruse bombarduan gjithashtu kryeqytetin e Ukrainës Kiev dhe rrethuan disa qytete të tjera.
Ukraina thotë se po ndalon avancimin rus në portin Mykolayiv të Detit të Zi. Kremlini ka bërë thirrje për unitet kombëtar rus.
“Tani nuk është koha për t’u përçarë, tani është koha që të gjithë të bashkohen… dhe natyrisht të bashkohemi rreth presidentit tonë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ministrat e Jashtëm të G7-tës thanë të premten se ishin “thellësisht të shqetësuar” me pasojat humanitare nga “sulmet e vazhdueshme të Rusisë” kundër popullsisë civile të Ukrainës.
Të paktën 331 civilë janë konfirmuar të vrarë dhe 675 të plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, por numri real ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, tha zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.
Aleatët e NATO-s kundërshtuan kërkesën e Ukrainës për zona të ndaluara për fluturime, duke thënë se një ndërhyrje e tillë e drejtpërdrejtë do të çonte në një luftë edhe më brutale.
Rusia kufizoi qasjen në faqet e internetit të disa organizatave të huaja të lajmeve, përfshirë BBC-në për përhapjen e “informacionit të rremë”.
Parlamenti rus miratoi një ligj që vendos dënime deri në 15 vjet burg për përhapjen e informacionit “të rremë” në lidhje me forcat e armatosura.
Sulmet e drejtpërdrejta mbi një autokolonë masive rus jashtë Kievit, së bashku me një urë të shkatërruar në rrugën e autokolonës, kanë bllokuar forcat ruse rreth 15 milje në veri të qytetit, ka thënë të premten një zyrtar i lartë i mbrojtjes i SHBA-së.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të jashtëm të NATO-s është përmendur edhe rreziku i përhapjes së konfliktit në vendet e tjera pas atij në Ukrainë. Ata diskutuan nevojën për të mbështetur partnerët që mund të jenë në rrezik të përhapjes së luftës në Ukrainë, duke përfshirë Gjeorgjinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, përsëriti se “agresioni i Rusisë ka krijuar një realitet të ri për sigurinë, ku parimet themelore kontestohen përmes përdorimit të forcës”.
Presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë kancelarit gjerman, Olaf Scholz se ai është i gatshëm të diskutojë mënyrat për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga vendi i tij … por vetëm nëse plotësohen kushtet që ai ka vendosur që nga fillimi i konfliktit.
Putin i tha Scholzit se ai është i gatshëm të flasë me këdo që dëshiron lirinë në Ukrainë.
“Me kusht që të gjitha kërkesat ruse të përmbushen”, tha ai.
Këto kërkesa, të cilat Putini i parashtroi përsëri, përfshijnë: “çmilitarizimin” e Ukrainës; “denazifikimin” e Ukrainës; një status neutral dhe jo-bërthamor për Ukrainën; njohja ndërkombëtare e aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe sovraniteti për rajonet separatiste ukrainase të Luhanskut dhe Donetskut.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, shpalli gjendje lufte në vend.