
Ukraina ka raportuar për një problem.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka bërë të ditur se rregullatori bërthamor i Ukrainës ka raportuar probleme komunikimi me stafin që operon në centralin bërthamor në Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore.
Autoritetet ukrainase i kanë thënë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike – IAEA se stafi i rregullt vazhdon të operojë centralin, “por menaxhimi i uzinës tani është nën urdhrat e komandantit të forcave ruse që kontrollojnë vendndodhjen”, shkruan CNN.
Kujtojmë se rusët kanë sulmuar këtë central, por pa pasoja, të cilat sipas ekspertëve kanë mundur të jenë fatale.
Ndryshe, më herët Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) e ka vendosur Qendrën e saj të Incidenteve dhe Emergjencave në “modalitet të plotë reagimi 24/7” për shkak të “situatës serioze” në centralin bërthamor të Zaporizhzhia, tha agjencia në Twitter.
Agjencia është në kontakt me autoritetet ukrainase për zjarrin e vazhdueshëm në central. Ky është njëri ndër centralet më të mëdha që funksionojnë në Ukrainë.