
Gërvalla thotë se kanë kërkuar nga KFOR-i mbylljen e hapësirës ajrore për Rusinë.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, sot ka raportuar në Komisionin e Punëve të Jashtme.
Fillimisht, Gërvalla ka folur për situatën në Ukrainë, ku ditë më parë kanë nisur sulmet e para të Rusisë ndaj Ukrainës.
Në lidhje me situatën e krijuar atje, Gërvalla ka thënë se Kosova është pozicionuar në krah të botës demokratike, duke përkrahur SHBA-në dhe BE-në.
“Kosova shumë shpejtë dhe qartë është pozicionuar në krah të botës demokratike dhe botës së lirë. Jo vetëm sa i përketë luftës, por jemi rreshtuar duke iu bashkangjitur sanksioneve ekonomike, si të atyre të BE-së, ashtu edhe të SHBA-së”, u shpreh ajo, transmeton lajmi.net.
Tutje, ministrja Gërvalla ka deklaruar se kanë kërkuar nga KFOR-i që të bëhet mbyllja e hapësirës ajrore për Rusinë.
“Kemi kërkuar nga KFOR-i mbylljen e hapësirës ajrore për Rusinë. Komandanti i KFOR-it ka thënë se KFOR-i së bashku me NATO-n janë duke e shqyrtuar këtë kërkesë tonën. Na është premtuar nga KFOR-i dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se këtë kërkesë tonën do ta marrin seriozisht”, u shpreh tutje ministrja Gëvalla.