
Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës u takuan paraditen e së enjten në Ankara të Turqisë.
Në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje, as për armëpushim e as për korridore humanitare.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se pajtohet për takime të ardhshme me palën ruse, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Dua ta përsëris se Ukraina nuk do që të dorëzohet dhe nuk do të dorëzohet”, tha Kuleba.
Ndryshe, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, akuzoi shtetet perëndimore pas takimit.
Lavrov tha se Perëndimi po vepron rrezikshëm kur po i vendos sanksione Rusisë, si dhe kur po armatos Ukrainën.
Lavrov tha se nuk beson se përplasja e Rusisë me Perëndimin për Ukrainën do të çonte në luftë bërthamore.
“Unë nuk dua të besoj dhe nuk besoj se një luftë bërthamore mund të fillojë”, tha ai.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kërkuan një armëpushim të menjëhershëm gjatë një telefonate që ata patën me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, tha një zyrtar i Qeverisë gjermane.
Luftimet po vazhdojnë në Ukrainë, ndërkohë raportohet se avancimi i forcave ruse ka hasur në rezistencë.
Një zyrtar i SHBA-së tha se llogaritet se rreth 6,000 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani në Ukrainë .
U konfirmua vrasja e tre personave, në mesin e tyre një fëmijë, nga sulmi rus mbi një spital fëmijësh në Mariupol.