
Eurodeputeti bullgar kërkon njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të BE-së.
Eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyuchyuk ka thënë se është koha kur Bashkimi Europian duhet t’ia heqë vizat Kosovës dhe vendet anëtare të Unionit duhet ta njohin shtetin e pavarur të Kosovës.
Ai këto komente i ka bërë në Twitterin e tij pas takimit që ka patur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, shkruan lajmi.
“Është koha e fundit që BE t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së ta njohin vendin për të ecur përpara në integrimin e saj euroatlantik. Ky ishte mesazhi im për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministren e jashtme Donika Gërvalla-Schwarz.”, ka thënë ai.
Pas tij ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila e ka falënderuar Kyuchyuk për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka shprehur kënaqësinë për takimin e tyre.
Shumë eurodeputetë dhe eurodiplomatë ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por kjo ende nuk ka ndodhur.