Osmani tregon se si i ka raportet me Kurtin

20:43 | 10 Prill 2022

E para e shtetit është përgjigjur disa pyetjeve të ndjekësve të saj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zgjedhur Instagramin për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve. Gjatë orëve të fundit, ajo i është përgjigjur disa prej pyetjeve dhe po vazhdon të përgjigjet.

Një prej pyetjeve të qytetarëve për presidenten Osmani, ishte edhe ajo për raportet e saj me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Çfarë janë raportet mes jush dhe Kryeministrit? Të mira, shumë të mira apo të shkëlqyeshme?”, ka qenë pyetja që një qytetar i ka bërë presidentes Osmani, shkruan Gazeta Express.

E presidentja, është përgjigjur shkurt.

“Të shkëlqyeshme deri më tani”, ka shkruar ajo. Ajo është pyetur edhe nëse do të jetë aktive në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas saj, ajo tanimë është aktive, pasi që qëndrimet në dialog koordinohen mes institucioneve në vend, ku përfshihet edhe Presidenca.

Presidentja i është përgjigjur pyetjeve të ndryshme, që kishin të bënin edhe me flamurin dardan, që njihet si i Ibrahim Rugovës.

“A mendoni zonja Presidente me ndërru flamurin, me qitë atë që e meritojmë, të Presidentit Rugova?”, ka pyetur një tjetër qytetar.

Ajo është përgjigjur: “Në momentin që kam marrë detyrën, në Presidencë kam rikthyer vulën e Presidentit Rugova dhe Flamurin Dardan në hapësirat e Presidencës. Sa i përket himnit të Kosovës, kriteret e ndryshimit parashihen në Kushtetutë”, ka shkruar ajo.

Një pyetje tjetër për presidenten ishte: A po vjen në hiking?

“Po i pres rekomandimet se cilat janë vendet më të mira”, ka shkruar ajo.

Komento: