
Po kërkohet që të vazhdohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka thënë të hënën, 25 prill, se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, sepse status-quoja është e paqëndrueshme.
Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë.
“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”.
Ajo ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për hapat e ardhshëm të dialogut dhe rëndësinë e përparimit në këtë proces.
Ndërkohë, kryeministri Kurti tha se Kosova gjithmonë do të jetë përkrah SHBA-së, derisa kërkoi edhe anëtarësimin e menjëhershëm në NATO dhe BE.
“Edhe sot folëm për sukseset e shtetit të Kosovës dhe rolin dhe kontributin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta japin në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë. Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë në mes të dy vendeve tona, sidomos në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha Kurti.
Tutje, Kurti foli edhe për luftën në Ukrainë, gatishmërinë e Kosovës për të ndihmuar si dhe kritikoi Serbinë që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë.
“Dje u bënë dy muaj prej që kur nisi invazioni dhe agresioni i pa provokuar dhe pa justifikuar i Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Kjo luftë që shumë liderë vendesh nuk e prisnin të ndodhnin, po zgjat shumë më gjatë se që agresori e priste të ndodhte. Derisa e mbështesim dhe e shohim me admirim rezistencën e popullit ukrainas, ne duhet të mbetemi të vëmendshëm për rreziqet që mund të nxis dëshpërimi i Putinit despotik.”
“Po jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vepruar njësoj. Është për të ardhur keq që kemi refuzimin e Serbisë për të sanksionuar Rusinë dhe për tu distancuar nga ajo. Mund të ketë qenë një qëndrim i pritshëm por assesi nuk duhet të jetë i mirëkuptueshëm. Një refuzim i tillë tregon për bindjen tonë, vlerë orientim e Aleanë.
Vlerë anti-demokratike. Orientim joperëndimor dhe aleancë autokratësh. Andaj që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, siguria rajonale dhe jo vetëm, është i domosdoshëm integrimi i sa më shpejtë i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO, i shteteve që janë demokratike dhe i kanë vendosur sanksione Federatës Ruse.Kosova duhet të anëtarësohet në këshillin e Europës dhe të bëhemi pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO’s”, tha Kryeministri Kurti.