Vazhdojnë punësimet, AAK punëson familjarë të deputetëve në kompaninë ‘Pastrimi’

21:27 | 18 Mars 2019

AAK punëson familjarë të deputetëve .

Posta dhe Telekomi nuk është streha e vetme ku gjejnë punë familjarët e politikanëve kosovarë.

Edhe kompanitë tjera publike, janë një mundësi e mirë për të marr një pagë të lartë kundrejt një punë jo shumë të madhe.

Kompania “Pastrimi”, është njëra ndër to.

Në një listë e dërguar në redaksinë e televizionit T7, shihet se në këtë kompani janë të punësuar disa njerëz të afërm me partinë në pushtet; AAK.

Gruaja e deputetit të AAK’së, Shkumbin Demaliajt, Hateme Demaliaj, në këtë kompani mban pozitën e koordinatores juridike.

Por ndikimin e tij në punësimin e gruas, po e mohon kategorikisht deputeti Demaliaj.

Ai thotë se ajo u punësua në periudhën kur Lidhja Demokratike e Kosovës ishte në pushtet.

E për këtë, ai i dërgoi televizionit T7 edhe dëshmi.

Por mbiemra të njohur nga skena politike e të punësuar te “Pastrimi”, s’përfundojnë vetëm me Demaliajt.

Muharrem Nitaj, nga e njëjta parti ka të punësuar djalin e tij në këtë kompani. Ai punon për IT, derisa para disa ditësh djali tjetër i është punësuar në PTK.

Veç djalit aty është e punësuar edhe një e afërm tjetër e Nitajt.

Pranvera Nitaj është punësuar në shkurt të këtij viti në pozitën e referentes.

E deputeti Nitaj përmes një statusi në Facebook, vlerësoi se partia e tij në krahasim me të tjerat është engjëll.

Në kompaninë “Pastrim” sipas e-mailit dërguar për media janë punësuar edhe dy zyrtarë të AAK’së degës së Prishtinës Fadil Gashi dhe Naim Rrustemi.

Kompania “Pastrimi” që nga dhjetori udhëhiqet nga Burim Kelmendi.

Nga kjo ndërmarrje nuk iu përgjigjën pyetjeve të T7 në lidhje me këto punësime.

Komento: