Kurti kërkon që Kosova të bëhet pjesë e programit ‘Partneriteti për Paqe’

23:30 | 22 Maj 2022

Kurti po kërkon që Kosova të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në World Affairs Forum ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e Programit “Partneriteti për paqe” të NATO-s.

Stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike në Kosovë u theksuan nga Kurti në fjalën e tij. Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.

“Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e ShBA-ve për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s”, tha Kurti, ndërsa theksoi edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind.

Sipas komunikatës së dërguar mediave thuhet se ai “potencoi indikatorët pozitivë ekonomikë, rritjen ekonomike impresive dyshifrore, si dhe punën drejt themelimit të Gjykatës Komerciale në Kosovë”.

Komento: