“S’është vendim që merret shkel e shko”, presidentja e pret Kushtetuesen për çështjen e Kryeprokurorit

10:51 | 04 June 2022

Po bëhen dy muaj prej kur në zyrën e presidentes së Kosovës ka shkuar emri i propozuar për kryeprokuror të shtetit, por Osmani ende nuk ka marrë ndonjë vendim për dekretimin apo jo të kandidatit të propozuar nga KPK, Blerim Isufaj, si kryeprokuror i shtetit.

Presidentja Osmani deklaroi ekskluzivisht për KosovaPress se janë duke i analizuar materialet shtesë të dërguara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe çdo rrethanë të krijuar lidhur me këtë proces.

Një prej kandidatëve për kryeprokuror të shtetit, prokurori Shqipdon Fazliu ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes për postin e kryeprokurorit të shtetit, duke kërkuar si masë të përkohshme pezullimin e procedurave të emërimit të Blerim Isufajt.

Presidentja Osmani tha se do të pritet edhe vendimi i Kushtetueses pasi vendimi për kryeprokuror të shtetit nuk është vendim që merret shkel e shko.

“Ne jemi duke i analizuar materialet shtesë që i ka dërguar Këshilli Prokurorial i Kosovës sepse dosja që është dërguar nuk ka qenë e plotë, tani janë në analizë e sipër, dua ta potencoj që kemi marrë vërejtje të shumta që janë konstatuar nga ana e organizatave monitoruese, qofshin ata partnerë vendorë si OJQ apo ndërkombëtarë. Dhe në ndërkohë jam njoftuar zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese që një nga kundërkandidatët e ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese dhe natyrisht që duhet të pritet se cili do të jetë vendimi rreth kërkesës për masë të përkohshme. Në momentin që kemi vendimin përfundimtar i cili merr parasysh të gjitha këto zhvillime që i përmenda, natyrisht që të gjithë qytetarët do të njoftohen sepse nuk është vendim që merret shkel e shko, por duhet t’i ketë parasysh analizat e secilit dokument, por po ashtu edhe ta dëgjojmë zërin e secilit që ka qenë i përfshirë në këtë proces… Ligji nuk parasheh ndonjë afat (për të marrë vendim), kurse ne jemi duke vepruar sa më parë që të jetë e mundur në analizë të të gjitha dokumenteve që po dorëzohen”, u shpreh ajo.

Anëtari i Komisionit parlamentar për Legjislacion nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa konsideron se nuk ka elemente të kundërshtimit të dekretimit pasi janë zbatuar të gjitha anët juridike.

Sipas tij, vonesat në emërimin e kryeprokurorit të shtetit vetëm e dëmton procesin por edhe vetë Prokurorinë e Shtetit.

“Nuk mendoj se ka ndonjë arsye të mos dekretohet, por ndoshta është edhe ajo njëfarë e mete kushtetuese apo ligjore që nuk ka afat ligjor presidentja kur ta bëjë dekretimin e tillë, por mendoj që presidentja duhet të reflektojë dhe nuk duhet të bie pre e opinionit publik por duhet të veprojë në harmonizim me Kushtetutën e vendit, në të kundërtën mosdekretimi pa asnjë arsyetim apo një kundërshtim që e ka obligim kushtetues dhe ligjor mendoj se bënë një shkelje të Kushtetutës… Nuk mundemi të biem pre e kundërshtimeve që janë të opinionit me të vetmen arsye se nuk kemi një argument shtesë. Konsideroj se presidentja nuk do të ketë argument shtesë për ta kundërshtuar dekretimin e zotërisë Isufaj dhe mendoj se sa më shumë se sa që mbetet pa dekretim apo pa një përgjigje nga presidentja në njëfarë forme ky prolongim e dëmton procesin apo vetë institucionin e Prokurorisë së Shtetit”, theksoi Beqa.

Kurse, nga organizatat që e kanë monitoruar procesin qëndrojnë prapa kërkesë së tyre që të ketë konkurs të ri për Kryeprokuror të Shtetit.

Mirvet Thaçi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një afat të arsyeshëm duhet të vendosë “për” apo “kundër” dekretimt të prokurorit, Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Meqenëse as Kushtetuta dhe as ligjet që janë në fuqi nuk kanë të përcaktuar një afat kohor brenda të cilit presidentja e Kosovës duhet të marrë vendim për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt nuk mund të thuhet se kemi të bëjmë me zvarritje të këtij procesi. Kemi përsëritur kërkesën tonë se ky proces, edhe pse në fillim ishte përcjell me transparencë, ku janë publikuar edhe koncept-dokumentet e të gjithë kandidatëve, është lejuar monitorimi i plotë dhe objektiv nga ana e shoqërisë civile, fazat e tjera nuk janë përcjell me transparencë. Ky proces është cenuar si i tillë dhe në mënyrë që të kemi një kryeprokuror të ri i cili është me integritet, i cili është profesional, ai duhet të zgjidhjet përmes një konkursi të ri. Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj pozite duhet që presidentja brenda një afati të arsyeshëm të marrë një vendim, pra të dekretojë apo të mos e dekretojë Blerim Isufaj në këtë pozitë”, u shpreh ai.

Më 6 prill, Këshilli Prokurorial me 11 vota pro ka nominuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të ri të shtetit.

Pasi Këshilli Prokurorial e përcaktoi Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, pati reagime të shumta. Ambasada amerikane, britanike, zyra e BE-së në Kosovë e shoqëria civile, thanë se procesi nuk ka qenë transparent dhe i bazuar në meritokraci.

Aktualisht pozitën e kryeprokurorit të shtetit është duke e ushtruar, Besim Kelmendi.

Komento: