Kryetari i PDK-së flet si i pafajshëm, thotë se punësimi nga partitë në Telekom ua ka humbur shpresat qytetarëve

16:01 | 20 Mars 2019

Institucionet publike janë duke u mbipopulluar me punësime partiake.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka folur për punësimet familjare që po ndodhin nga ana e partive në Telekom dhe institucionet e tjera publike, duke thënë se kosovarëve u kanë humbur shanset, pasi punësimet nëpër institucione publike po ndodhin mbi baza partiake duke punësuar deri në 5 anëtarë të familjes një person.

Veseli ka thënë se korrupsioni dhe nepotizmi ka filluar të bëhet një problem psikologjik në familjet e Kosovës, madje ka filluar të bëhet një krizë e besimit ndaj shtetit.

Ai tha se do të ndalet korrupsioni dhe nepotizmi në Kosovë, sipas tij vetëm ai që respekton ligjin është i fortë në Kosovë.

”Korrupsioni dhe nepotizmi ka filluar të bëhet një problem psikologjik në familjet tona. Ka filluar të bëhet një krizë e besimit ndaj shtetit. Nuk do ta lejojmë këtë…Do të ndalet korrupsioni, do të ndalet nepotizmi. Do të ketë veprime edhe për këto të cilat kanë ndodhur deri më sot…Në Kosovë ka veç një të fortë, është ai që respekton ligjin e Republikës së Kosovës”, tha Veseli.

Veseli tha se të gjitha këto është mirë të ndalen ose do t’i ndalë ai këto veprime.

”Prirjet që duan të gllabërojnë besimin në shtet, nuk do t’i tolerojmë. Mirë është me u ndalë, ose kemi me i ndalë sepse veprimet do të merren”, tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli tha se shpresat në Kosovës për punësim kanë humbur, pasi një anëtar i një partie punëson 5 familjarë të tij në punë.

”Edhe pse janë në varfëri njerëzit do të jetojnë në qetësi për shpresë se një ditë do të kenë shans për tu punësuar. Nuk mund të mos kenë shans kur një njeri grykës punëson pesë vetë”.

Komento: