Von Cramon i reagon eurdeputetes franceze: Shumica e Parlamentit Evropian e mbështet Kosovën

16:23 | 08 Korrik 2022

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar ndaj deklaratave të eurodeputetes franceze Dominique Bilde, e cila kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe për liberalizimin e vizave.

Cramon me anë të një postimi në ‘Twitter’, ka shkruar se pjesa më e madhe e Parlamentit Evropian mbështet Kosovë. E njëjta shtoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, shkruan lajmi.

“Për fat të mirë, shumica e kolegëve tanë në Parlamentin Evropian janë të informuar dhe e mbështesin Kosovën në përpjekjen për të bashkëpunuar me BE-në”, ka shkruar Cramon.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe qytetarët e saj meritojnë, si të gjithë evropianët e tjerë, të lëvizin lirshëm”, përfundon ‘cicërima’ e saj.

Në anën tjetër, Bilde më herët gjatë së premtes në ‘Twitter’ e cilësoi “çmenduri” zgjerimin e BE-së që përfshin Kosovën.

“Kosova ishte në program këtë javë në Parlamentin Evropian në Francë. Ne refuzojmë zgjerimin e BE-së me këtë vend. Ne gjithashtu kundërshtojmë lëshimin e vizave për shumë shtetas të tyre! Është koha për të ndaluar këtë çmenduri. Grupi i Identitetit dhe Demokracisë – Francë thotë JO”, ka deklaruar ajo.

Rezoluta që u miratua në Parlamentin Evropian këtë javë mbështeti fuqishëm çështjen e liberalizimit të vizave, ndërsa e pa si momentum jo të duhur aplikimin e Kosovës në BE.

Komento: