Osmani dhe Kurti: Kosova dhe SHBA-ja pajtohen që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke

15:27 | 30 Korrik 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media kanë folur për vizitën që kishin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që të dy e quajtën të shkëlqyer vizitën që kishin në SHBA.

Osmani tha se në takim kanë diskutuar një sërë temash, ndër të cilat edhe fuqizimi i partneritetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Me fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Shumica dërmuese e njohjeve që i ka Kosova janë për shkak të SHBA-ve. Kemi diskutuar si mund të forcohet pozicioni ndërkombëtar i Kosovës që Kosova të anëtarësohet në organizata të tjera ndërkombëtare me ndihmën e SHBA-ve”, u shpreh Osmani.

Osmani po ashtu tha se kanë kërkuar përkrahje nga SHBA-ja në fushën e sigurisë.

Presidentja e vendit ka thënë se është diskutuar edhe për çështjen e Manastirit të Deçanit, për të cilën Osmani ka thënë se tashmë dihet qëndrimi i Amerikës.

Osmani tha se në takim, Blinken ka konfirmuar qëndrimi që dialogu me Serbinë të përqendrohet në njohje reciproke.

“Në këtë temë është tejet me rëndësi që sërish është rikonfirmuar qëndrimi amerikan që asesi nuk shtyjnë përpara një zgjidhje që do ta prekte integritetin territorial, sovranitetin e Republikës së Kosovës apo edhe rregullimin kushtetues të Kosovës”, tha Osmani.

Ndërkaq kryeministri Kurti ka thënë se pjesa më e madhe e takimit ka qenë e fokusuar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe kontekstin ndërkombëtar.

Kurti ka thënë se SHBA kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me marrëveshje që në qendër të saj ka njohjen reciproke.

“Mund ta themi se rreth 80 përqind të takimit ka pasur të bëjë për marrëdhëniet bilaterale dhe konteksti ndërkombëtar. SHBA e njeh Kosovën plotësisht si ajo e ka shpallur veten, shtet i pavarur e sovran. Ajo çka SHBA-të e pranojnë është se marrëdhëniet me Serbinë nuk janë normale dhe se këtë marrëdhënie duhet ta normalizojmë. Si duket formula e këtij normalizimi ne pajtohemi plotësisht me Amerikën, marrëveshje e cila në qendër ka njohjen reciproke”, tha Kurti në konferencë për media.

Komento: