Grenell bisedon me Thaçin: Populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse ai do të ishte ende President

16:45 | 08 Gusht 2022

Ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka njoftuar se ka bashkëbiseduar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Unë sapo fola me Hashim Thaçin nga burgu i Hagës”, tha Grenell.

Ai deklaroi se është i bindur se populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse ai do të ishte ende President.

“Jam i bindur se populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse ai do të ishte ende President. Ata gjithashtu do të kishin bashkëpunim më të madh ekonomik me fqinjët e tyre dhe më shumë vende punë për fëmijët e tyre nëse Thaçi do të kthehej”, shtoi Grenell.

Ky reagim i Grenell erdhi pas deklarimeve të shumta që pati në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Ai ndër të tjerash të dielën e kaluar kur edhe serbët vendosën barrikada në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnajk, bëri thirrje për kthimin e Hashim Thaçit në Kosovë.

Ndryshe lidhur me situatën e krijuar në veri dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e reciprocitetit, kryeministri i vendit, Albin Kurti , tha se situata mund të përshkallëzohej në konflikt të armatosur.

Komento: