Birësohet një 5-vjeçare në SOS Fshatrat e Fëmijëve, nuk pati kujdesin prindëror qysh nga lindja

17:56 | 17 Gusht 2022

Vogëlushja e quajtur “Liza” në SOS Fshatrat e Fëmijëve e cila nuk e kishte pasur kujdesin e prindërve qysh në lindje, ditën e djeshme është birësuar nga një familje.

Këtë lajm e kanë bërë të ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, derisa SOS kanë shprehur gëzimin por edhe mallëngjimin për vogëlushen në fjalë.

Gjithashtu ata i kanë uruar 5-vjeçares çdo të mirë në jetë së bashku me familjen birësuese.

Postimi i plotë:

Dje në SOS Fshat kishim lot gëzimi dhe mallëngjimi. Ishte dita e fundit e Lizës* në familjen e madhe të SOS-it. Ajo kishte humbur kujdesin prindëror që në lindje dhe ishte vendosur tek ne si foshnjë.

Përgjatë pesë viteve qëndrimit me ne, Liza u bë pjesë e jona e pandashme, buzëqeshja e saj të bënte për vete që në momentin e parë që e shihje. Sa lot gëzimi kishim të gjithë kur bëri hapat e parë e kur tha fjalët e para.

Dje Liza u birësua nga një familje shumë e dashur, dora e saj e vockël nuk largohej për asnjë moment nga dora e prindërve të saj birësues. Ky moment na emocionoj secilin nga ne edhe pse kishim një lloj pikëllimi për ikjen e saj, ne e dinim përbrenda që një botë e tërë e re po hapej për Lizën.

Ne i urojmë Lizës çdo të mirë ne jetë e shumë suksese e shëndet, e prindërve birësues shumë dashni e fat në rritjen e Lizës.

Komento: