Vuçiç thërret mbledhje me serbët e Kosovës të dielen në Beograd

14:40 | 18 Gusht 2022

Pas takimit të Nivelit të Lartë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në Bruksel, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, siç konfirmoi “Nova.rs”, ka thirrur mbledhje me serbët e Kosovës në pallatin “Serbia” në Beograd

.

Në takim shkruhet se janë ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës, zyrtarë të Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë të komunave të Kosovës, kryetarët e rretheve, si dhe drejtorët e spitaleve, shkruan Nova.

Ndonëse ende nuk dihet arsyeja e thirrjes së një takimi të tillë, ose si rezultat i çfarë bisedimeve të brendshme ka ndodhur ajo, ne do të raportojmë për detajet sapo ato të zbardhen.

Takimi trepalësh mes fascilituesve evropianë dhe liderëve, përkatësisht Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, ka përfunduar, derisa në ora 14:15 pritet të ketë konferencë për media.

Gjithashtu është lajmëruar se gjatë ditës po përgatitet edhe një takim tjetër trepalësh mes Kurtit, Vuçiç dhe Lajçak.

Në ndërtesën ku po zhvillohen bisedimet është prezent edhe zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, i cili, siç është shprehur, është aty për t’i dhënë mbështetje procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në takim do të qëndrojë në parimin e reciprocitetit, ndërsa presidenti serb Vuçiç ka thënë se ndonëse shpreson të arrihet ndonjë zgjidhje, nuk beson aspak se ajo do të ndodh sot.

Shefi i diplomacisë evropiane, në një adresim për media para fillimit të takimit ka deklaruar se është koha për të arritur normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Komento: