Më shumë se 170 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën

10:14 | 25 March 2019

Migrimi i qytetarëve të Kosovës nëpër vende të ndryshme është në rritje.

Për pesë vjet, më shumë se 170 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën.

Migrimi i qytetarëve të Kosovës nëpër vende të ndryshme, kryesisht ato evropiane, pavarësisht perceptimit se ka shënuar rritje, sipas të dhënave zyrtare ka shënuar rënie.

Sipas një raporti të publikuar ditë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thuhet se për periudhën 2013-2017 mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës.

Përgjatë viteve 2013 – 2017, nga Kosova, sipas këtyre të dhënave, të cilat kanë si burim Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kanë emigruara më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil.

Trendi i emigrimit në Republikën e Kosovës thuhet në këtë raport, ka pasur një rritje të vazhdueshme deri në vitin 2016, përderisa pas vitit 2016 emigrimi se ka shënuar rënie të konsiderueshme.

Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë migruar nga vendi gjatë kësaj periudhe ishte viti 2015, kur nga Kosova emigruan mbi 75 mijë qytetarë, shumica prej tyre në formë të parregullt. Derisa, në vitin në vitin 2017 emigrimi ka shënuar rënie dhe atë në rreth 12 mijë qytetarë. Pjesa më e madhe e emigrantëve për vitin 2017, ishin emigrantët të rregullt dhe arsyet ishin: bashkimi familjar, martesat, punësimi, studimi, etj.

Qytetarët e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, migruan kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, por kishte edhe qytetarë që u evidentuan se emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.

Sa u përket të dhënave për vitin 2018, ato nuk janë finalizuar ende nga autoritetet e Kosovës, por sipas disa të dhënave që i janë dhënë Radios Evropa e Lirë nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, tregohet se trendi i emigrimit ka shënuar rënie edhe gjatë vitit 2018.

Sefedin Kuçi, udhëheqës i Divizionit për planifikim dhe statistika në Ministrinë e Punëve të Brendshme thotë se të dhënat për numrin total të emigrantëve të Kosovës për vitin 2018 nuk dihen, por dihet se janë rreth 3500 qytetarë, të cilët kanë kërkuar azil në vendet e BE-së përgjatë vitit 2018.

“Në aspektin e migrimit, në përgjithësi, duke përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë trendet gjatë këtyre viteve, kanë qenë pozitive sa i përket emigrimit të parregullt çka do të thotë se kemi pasur rënie të konsiderueshme të migrimit të parregullt. Nëse e shikojmë aspektin e azilkërkuesve në shtetet e BE-së, emigrimi në vitin 2018 ka qenë në pikën më të ulët të azilkërkuesve. Nga 67 mijë kërkesa për azil, të cilat kanë qenë në vitin 2015 kjo shifër në vitin 2018 ka qenë 3515, pra ka një rënie të konsiderueshme. Ne mendojmë se ky trend i rënies do të jetë edhe në vitin 2019”, thotë Kuçi.

Ai thekson se rreth 98 për qind e këtyre kërkesave për azil të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së gjatë vitit 2018, janë refuzuar.

“Në vitin 2018 kemi pasur një ndryshim sa i përket shteteve ku qytetarët e Kosovës kanë kërkuar azil. Para vitit 2018, vendet ku qytetarët e Kosovës kanë kërkuar më shumë azil ka qenë Gjermania, Franca, Austria..kurse gjatë vitit 2018 kjo ka pasur ndryshim në renditje, ku 58 për qind e kosovarëve kanë kërkuar azil në Francë ndërsa në Gjermani 16 për qind në Itali 9 për qind e kështu me radhë”, thotë Kuçi.

Ky trend i rënies së emigrimit të parregullt, shton Kuçi, do të ketë ndikim pozitiv edhe në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza.

Përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut emigrimin e qytetarëve të Kosovës për në vendet e ndryshme të botës e konsiderojnë si mjaft shqetësues.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, thotë se emigrimi i qytetarëve të Kosovës në vendet e botës është luftë për ekzistencë.

Kosova shton ai është një vend, i cili nuk është duke iu ofruar kushte elementare qytetarëve të saj dhe perspektivë të rinjve.

“Emigrimi po ndodh për faktin se ka mungesë të vendeve të punës. Të rinjtë ndonëse përfundojnë studimet apo shkollat profesionale nuk mund të gjejnë një vend pune. Nepotizmi ka lëshuar rrënjë në Kosovë, nëse nuk ke një përkrahje politike nuk mund të gjesh një vend pune dhe në mungesë të perspektivës, ata janë të detyruar të ikin nga vendi dhe të bëjnë një punë që nuk është në përputhje me kualifikimin që kanë, mirëpo ata detyrohen të ikin për një jetë më të mirë”, thotë Shala.

Ai thotë se të rinjtë nga Kosova po emigrojnë duke kaluar në rrugë të rrezikshme dhe po ju rrezikohet edhe jeta.

“Të rinjtë nga Kosova po detyrohen që të emigrojnë, kjo nuk është dëshira e tyre por është një zgjidhje e imponuar nga kushtet e vështira ekonomike dhe sociale dhe pa perspektivës. Emigrimi është bërë një domosdoshmëri për të mbajtur familjen”, thotë Shala.

Shala thekson se më shqetësuese është edhe fakti që kjo dukuri po tenton të minimizohet nga autoritetet e vendit, të cilat siç thotë ai kanë përgjegjësinë kryesore për këtë emigrim.

Në anën tjetër, Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë se numri i qytetarëve, të cilët po lëshojnë vendin është shqetësues dhe se edhe pavarësisht kësaj, siç thotë Mazreku, institucionet e Kosovës po e neglizhojnë këtë dukuri.

“Unë mendoj se Kosova është duke u konsumuar me disa tema të tjera, të cilat tema në fakt janë duke i margjinalizuar këto temat reale që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit, sepse pa pasur zhvillim ekonomik të vendit, nuk mund të ketë stabilitet politik e as social të atij vendi, në këtë rast të Kosovës”.

“Prandaj është shqetësuese se sa pak publicitet, sa pak theks media, publik dhe institucional i jepet këtij fenomeni, kur fshatra të tëra thuajse janë boshatisur. Kjo vërehet edhe në numrin e nxënësve që regjistrohen në nivelin fillor, atë të mesëm, por edhe universitar. Krejt kjo qasje, publike dhe mediale, nga shoqëria civile, por edhe institucionale, mendoj që është shumë shqetësuese”, thotë Mazreku.

Në raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte theksuar se emigrimi i lartë do të ndikojë edhe në strukturën e popullsisë në vitet vijuese pasi që vlerësohet se pjesa dërmuese e emigrimit kishte përfshirë grup-moshat e reja kryesisht 25-44 vjeç.

Shqetësuese, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbetet emigrimi i qytetarëve me nivel të lartë të edukimit.

“Emigrimi po ndodh për shkak të mundësive më të mira për të bërë karrierë dhe kushteve socio-ekonomike në vendet e destinacionit, siç është evidente mjekët po emigrojnë në Gjermani. Bazuar në këtë, Kosova gradualisht po ballafaqohet me fenomenin e ‘Ikjes së trurit’ ose me humbjen e kuadrove”, thuhet në raportin e Ministrisë.

Popullata me origjinë nga Kosova që jeton jashtë vendit më 2017 është llogaritur të jetë më shumë se 800 mijë, që është ekuivalente me 46.36 për qind e popullatës që jeton në Kosovë.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, i bërë në vitin 2011, numri i qytetarëve të Kosovës është llogaritur të jetë rreth 1.8 milion.

Komento: