
Gabriel Escobar nesër do ta vizitojë Kosovën.
I dërguari i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën ateron për të treten herë në Prishtinë. Këtë herë me një ‘mision’ të qartë. Mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Udhëtimin e emisarit amerikan drejt Prishtinës i’a ka konfirmuar tashmë zyrtarisht Gazetës Online Reporteri.net edhe një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
Përveç Prishtinës, Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan për Evropën dhe Euroazinë do ta vizitojë edhe Beogradin.
DASh për Gazetën Online Reporteri.net thekson se arsyeja e këtij udhëtimi të Escobarit është i qartë. Ta mbështesë dialogun Kosovë-Serbi.
“Zëvendës-Ndihmës Sekretari Escobar po udhëton në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur Dialogun”, është përgjigjur shkurt zëdhënësi i DASh.
Emisari amerikan, në Prishtinë e Beograd, do të qëndrojë bashkë me përfaqësuesin special të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak.
Dyshja, në Prishtinë, pritet të arrijnë të martën pas mesit të ditës. Derisa vizita zyrtare e tyre në Prishtinë regjistrohet tek të mërkurën, e të enjten pason në Beograd.
“Në vazhdim të takimeve të javës së kaluar, Përfaqësuesi i Lartë Borrell i ka kërkuar Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajçak që të udhëtojë në Kosovë dhe Serbi këtë javë (24-25 gusht 2022) në mënyrë që të avancohet drejt një zgjidhjeje të pëlqyeshme reciprokisht për të shmangur tensionet e reja në terren”, ka konfirmuar BE-ja përmes një zëdhënësi të saj.
“Në misionin e tij, atij do t’i bashkohet edhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar”.
Në Prishtinë, emisarët e SHBA-ve dhe BE-së, gjatë të mërkurës, pritet të takojnë krerët e shtetit, Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani.
Derisa, të martën mbrëma, kur Escobar arrin në kryeqytetin kosovarë, për “darkë pune” i ka ftuar liderët e opozitës në Kosovë.
Ftesën për darkën që do të shtrohet nesër mbrëma në rezidencën e Ambasadorit amerikan në Prishtinë, ia kanë konfirmuar të hënën Gazetës Online Reporteri.net zëdhënësit e tre liderëve opozitarë, Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt.
Qëndrimi i Escobar dhe Lajcak në Prishtinë, e për të vazhduar pastaj në Beograd, vjen pa kaluar një javë nga takimi i 18 gushtit në Bruksel, në mes Kurtit e Vuciqit. Takim ky i ndërmjetësuar nga BE-ja, e që të pranishëm kishte edhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell por që nuk shënoi ndonjë përparim në dialogun Kosovë-Serbi. Sikurse nuk është arritur që të binden palët që të arrijnë as marrëveshje për tejkalimin e tensioneve të fundit në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.
Për ta mbështetur takimin Kurti-Vuciq, në Bruksel, më 18 gusht kishte udhëtuar edhe Escobar, nga ku ishte treguar optimist se do të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi “e cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën”.