Për gjashtë muaj Osmani vetë e 19-ta shpenzoi 85 mijë euro

23:15 | 22 Gusht 2022

Shpenzimet e Presidencën këta gjashtë muaj kanë qenë marramendëse.

Presidenca ka shpenzuar mbi 86 mijë euro nga buxheti i shtetit për periudhën janar qershor të këtij viti. Më së shumti para u harxhuan për bileta të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit.

Presidentja Vjosa Osmani me stafin e saj, përveç në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi vizita edhe në vende tjera gjithandej globit.

E shoqëruar nga 18 persona të ndryshëm në udhëtimet e saj, Osmani shpenzoi rreth 85 mijë euro që nga janari i këtij viti deri në fund të qershorit.

Vetëm për akomodim, shefja e shtetit shpenzoi 12 mijë e 600 euro.

Shpenzimet më të mëdha shkuan në bileta të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, të cilat buxhetit të shtetit i kushtuan 48 mijë euro, pra më shumë se gjysma e shpenzimeve totale.

Ashtu siç e parasheh edhe ligji, presidentja me staf shpenzoi edhe në karburante. 9 mijë euro i kushtoi shtetit furnizimi me derivate për të punësuarit në presidencë.

Ndërsa, vetëm 3 mijë e 400 euro, presidentja i harxhoi në dreka dhe darka zyrtare. E kokteji protokollar me rastin e Javës së Gruas kushtoi 1 mijë e 58 euro.

Të gjitha këto kapin vlerën prej 75 mijë euro shpenzime në një interval kohor prej gjashtë muajsh. Ndërkohë, rreth 11 mijë euro të tjera u shpenzuan nga Administrata, përfshirë harxhimet për ish-Presidentët dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete.

Gjatë vitit 2021, presidentja Osmani me staf shpenzoi në total 107 mijë euro.

Komento: