
“Perëndimi do bëj zgjidhje për Kosovën, deshi apo s’deshi Serbia”, thotë eurodeputeti slloven.
Perëndimi, deshi apo s’deshi [Serbia], do të vendos se cili do të jetë statusi i Kosovës, tha eurodeputeti slloven Klemen Groshel për median serbe “Nova”, transmeton Reporteri.
Dhe saktësisht kjo, tha ligjvënësi evropian, “është mesazh i qartë i dërguar nga Uashingtoni dhe Brukseli”.
Nëse është e vërtetë ajo që tha [Sergej] Lavrov se [Aleksandër] Vuçiç dhe [Vladimir] Putin janë tërë kohën në telefon duke krahasuar dhe koordinuar hapat e mëtejshëm, kjo i bie që Serbia do të ndjek rrugën evropiane të Turqisë, vlerësoi ai.
Serbia, e cila si vende kanddidate e BE-së obligohet të harmonizojë politikën e saj të jashtme e të sigurisë me unionin evropian, mund të mbetet “kandidate për BE-në me dekada të tëra” si Turqia, vlerësoi Groshel.
Këtë koment kryediplomati rus e bëri gjatë vizitës së mifnistrit të brendshëm serb, Aleksandër Vulin në Moskë, dhe ajo që Lavrov deklaroi se kontakt të vazhdueshëm mes presidentëve përmes telefonit, në Serbi u interpretua si mesazh ndaj Vuçiç që “mos provo të bësh shumë”.
“Politika zyrtare serbe e irriton perëndimin”, vlerësoi eurodeputeti.
Në anën tjetër, politologu serb, Dragan Popoviç, deklarimet e Sergej Lavrov-it i pa si mesazhe të dyfishta.
“Pjesërisht i drejtohet audiencës ruse, ngase Putini praktikisht nuk ka aleatë. Nëse s’e llogarisim Aleksandër Lukashenkon, Aleksandër Vuçiç është i vetmi lider me të cilin Putin mund të thuhet se ka njëfarë komunikimi”.
“Në anën tjetër, fjalët e Sergej Lavrov iu adresuan edhe presidentit serb, në stilin mafioz ‘mos provo të bësh shumë’. Edhe pse më duhet të them se BE nuk i bën shumë presion Vuçiçit, dhe për këtë atij i jepet hapësirë për të manovruar me këto lloj shantazhesh të Moskës”, konkludoi ai.
Ditëve të fundit, Vulin vizitoi Moskën ku përçoi mesazhet e presidentit serb atje. Ai tha se “Serbia nën udhëheqjen e Vuçiç nuk e harron vëllazërinë shekullore me Rusinë”.
Madje, ai u mburr se i vetmi vend në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë është Serbia.