Komandanti i KFOR-it e njofton Kurtin mbi përgatitjet e këtij misioni për sigurinë në veri

20:18 | 24 Gusht 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Siç bënë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media, në këtë takim, u theksua zotimi për angazhim dhe koordinim ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) për garantimin e sigurisë dhe lëvizjen e lirë.

“Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla falënderuan Gjeneral Major Kajárin për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht javëve të fundit. Gjeneral Major Kajári e njoftoi Kryeministrin Kurti për praninë, angazhimet dhe përgatitjet shtesë të KFOR-it për të garantuar paqe e siguri në veri të Ibrit”, shkruhet në komunikatë.

“U ritheksua gatishmëria për komunikim, bashkërendim të veprimeve e bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata.

Komento: