Në ndeshjen e sotme FFK pret një mysafir special në stadium

17:47 | 25 Mars 2019

Sot luhet ndeshja në mes të Kosovës dhe Bullgarisë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020-të.

Prishtina dhe gjithë Kosova janë në festë sot, pasi Përfaqësuesja e vendit do të nisë fushatën eliminatore të Euro 2020-ës, me sfidën përballë Bullgarisë, që do të luhet prej orës 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

I ftuar special i Federatës së Futbollit në Kosovë, ishte edhe ish mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Fatmir Vata. Ky i fundit ka luajtur me Shqipërinë në periudhën 1997-2002, ndërsa kulmin e karrierës e pati me skuadrën gjermane të Arminia Bielefeld.

Jeni i ftuar special i FFK-së sot, për ndeshjen hapëse të fushatës eliminatore të Euro 2020-ës. Si ndjeheni?

Jam i emocionuar dhe do kisha dëshirë që këto emocione t’i shfaqja edhe në fushë. Jam me ftesë të presidentit Agim Ademi dhe shpresoj, që ashtu siç kam emrin, të sjell fat për Kosovën. Është një ditë e bukur dhe festive në Kosovë, ndaj shpresoj që kështu të vijë edhe pas ndeshjes. Me Danimarkën ishte një ndeshje shumë e bukur, por ajo ishte thjesht një miqësore. Pata rastin të takoj djemtë në hotel dhe mu duken shumë të përqendruar për të bërë më të mirën, ndaj besoj te ata.

Konsiderata ndaj jush ka qenë shumë e lartë nga ana e shqiptarëve të Kosovës dhe besoj se e keni ndjerë këtë…

I falënderoj, ndaj edhe për këtë arsye kam dhënë ndihmesën time modeste për Federatën e Kosovës, ashtu si edhe për atë të Shqipërisë. Jam shumë krenar për ecurinë e Kosovës, që prej rreth një viti nuk ka pësuar asnjë humbje. Shpresoj që edhe sot ta nisin me një 3-pikësh.

Sa e keni ndjekur Kosovën dhe a jeni i befasuar nga procesi i shpejtë i rritjes së kësaj skuadre?

Nuk më ka befasuar aspak, sepse unë e di që në Kosovë ka shumë talent dhe ka shumë talente të tjera që luajnë në Europë. Më ka befasuar vetëm mënyra se sa shpejt janë integruar djemtë në këtë Përfaqësuese. Respekt për ata djem dhe u urojmë fat për ndeshjen e sotme.

A mendon që kualiteti dhe potenciali i Kosovës është për të synuar kualifikimin?

Kundërshtarët nuk janë të lehtë, ndaj unë u thashë edhe lojtarëve, respekt po, por jo frikë. Futbolli është kolektiv dhe i gjithë ekipi duhet të jetë i përqendruar deri kur të mbarojë ndeshja, për të synuar suksesin. Natyrisht që ka edhe nevojë për pak fat. Mos harroni, përballë është Bullgaria, një ekip aspak i lehtë për t’u kaluar.

Çfarë e lidh Fatmir Vatën me futbollin aktualisht?

Unë jam trajner i Hannover 96, në skuadrat e moshës, ndërsa më herët kam qenë edhe te Armenia Bielefeld dhe Bochum. Me mundësitë modeste që kam, mundohem të ndihmoj të gjithë shqiptarët që të ecin sa më shumë në futbollin shqiptar.

Komento: