Greva vazhdon, nxënësit nuk e fillojnë mësimin më 1 shtator

09:45 | 01 Shtator 2022

Greva në arsim ka vazhduar edhe sot në shumicën e shkollave në vend.

Në shkollën “Gjergj Fishta”, mësimdhënësit sot nga ora 09:00 kanë nisur grevën, me pak nxënës që kanë ardhur në shkollë, por që janë kthyer mbrapa.

Kryesindikalistja në këtë shkollë, Ramize Hajdini-Bytyqi, tha se greva vazhdon edhe sot, dhe se prindërit janë paralajmëruar se nuk do të ketë mësim.

“Nuk kemi mësimdhënës që nuk do të mos përkrah grevën, vazhdojmë grevën edhe sot, prindërit janë lajmëruar përmes grupeve se mësimi nuk mbahet”, tha Hajdini-Bytyqi.

Kryesindikalistja tha se pagat për këtë muaj nuk u janë ekzekutuar, për çka tha se është e padrejtë.

“Nuk kemi marrë paga, por deri tash nuk kemi asnjë mësimdhënës që është deklaruar se nuk do e vazhdojë grevën. Nuk është e drejtë”.

Tutje ajo tha se personalisht ka besuar se do arrihej një marrëveshje mes SBAShK-ut dhe Qeverisë, para 1 shtatorit.

“Derisa kemi hy, gjithçka kemi marrë parasysh, personalisht nuk kam besuar se do shkojë deri këtu, kemi besu se Qeveria dhe SBAShK-u do arrijnë marrëveshje”.

Komento: