Lumir Abdixhiku deklarohet pas takimit me Rrahman Jasharajn: Ndalja e pagave e papranueshme dhe joligjore

12:26 | 02 Shtator 2022

Abdixhiku pas takimit me Rrahman Jasharajn: Ndalja e pagave e papranueshme dhe joligjore.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ndalja e pagave për grevistët nga ana e Qeverisë, është e papranueshme dhe joligjore.

Këtë deklaratë, Abdixhiku e dha pas takimit që zhvilloi me Kryetarin e Këshillit Grevist të BSPK, Rrahman Jashari dhe nënkryetarin i Këshillit Grevist, Ali Gashi.

“Kam dëgjuar kërkesat e tyre dhe kam shprehur shqetësimin tonë mbi këtë grevë dhe konsiderojmë se duhet të ketë një dialog ndërmjet Qeverisë dhe BSPK është imperiativ, pra është bazë e funksionimit shoqëror të Kosovës dhe kemi nevojë për dialog që fëmijët tanë të kthehen në shkollë”, tha Abdixhiku.

Ndërkohë, Jasharaj ka thënë se janë pajtuar për takim me Presidenten Osmani, derisa ka uruar që t’i shohë si palë të barabarta.

“Ne jemi të angazhuar maksimalisht që kushdo që mundet ta bëjë një hap pozitiv drejt dialogut. I kemi thënë kabinetit të saj po dhe jemi në pritje, datë nuk kemi. Uroj që presidentja t’i shohë palët të barabarta. Po urojmë edhe te zoti që ajo të kontribuojë që dialogu i mirëfilltë të fillojë dhe kemi shpresa edhe te ajo që do të bëjë ndonjë hap pozitiv”, ka thënë Jasharaj.

Komento: