Kurti për rastin e 11 vjeçarës: Sot është dita e 3-të, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje

15:21 | 02 Shtator 2022

Rasti i 11-vjeçares, Kurti: Sot është dita e 3-të, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar për rastin e 11-vjeçares, që u dhunua nga pesë persona.

Kurti ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial janë duke heshtur në lidhje me këtë rast, transmeton Klankosova.tv.

“Po atë ditë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe u.d. Kryeprokurorin e Shtetit. U theksua si e domosdoshme llogaridhënia në sistemin prokurorial e gjyqësor”, ka thënë Kurti.

“Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin”, shtoi ai.

Sipas tij, mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme.

“Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme”.

“Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”.

Komento: