Kaq do t’i kushtojë buxhetit të shtetit pakoja e re ekonomike që e shpalosi Qeveria

23:00 | 03 Shtator 2022

Edhe një pako e re ekonomike është propozuar sot nga Qeveria Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, shpalosi të shtunën një pako të re ekonomike për qytetarët e vendit, Pakon për Përballje me Inflacionin.

Përmes kësaj pakoje, përfitues do të jenë grupe të caktuara të qytetarëve, e që në total, kjo do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 150 milionë euro, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

Nga kjo pako do të përfitojnë ata që kursejnë energjinë elektrike, familjet me asistencë sociale, pensionitët, studentët, punëtorët e ndërrmarjeve publike, punëtorët e sektorit publik si dhe subvencionimi i rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat.

E llogaritjet e shumës së përgjithshme të kësaj pakoje, Kurti i bëri publike edhe vetë në një postim në Facebook.
Kryeministri Kurti shkroi se nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë, ndërsa rreth 300 mijë familje do të subvencionohen nëse kursejnë energji elektrike.

“Në përkrahje të qytetarëve tanë, në muajt në vijim, do të ndajmë rreth 150 milionë euro për Pakon për Përballjen me Inflacion. Përmes subvencionimit të atyre që kursejnë energjinë do të përfitojnë të gjitha familjet e Republikës sonë, rreth 300 mijë sosh, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë”, ka shkruar Kurti.
Gjatë konferencës për media, Kurti fillimisht njoftoi se do të subvencionohen të gjithë qytetarët që kursejnë energji elektrike, derisa detajet i tregoi Ministri Murati.

“Subvencionimi bëhet për secilin që kursen dhe shpenzon më pak energji sesa muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Për shembull, nëse një familje ka shpenzuar 1000 kiloëat në orë shtatorin e vitit të kaluar, ndërsa për këtë muaj hargjon 900 kë për orë, parashihet se ka pas reduktim 10 përqind, për këtë përqindje do ta mbështesim në subvencionimin e faturës në vlerë prej 20 përqind”, ka thënë Murati.

Pensionistët do të marrin 100 euro shtesë në muajin tetor, ndërsa familjet me ndihmë sociale do të të mbështeten duke dyfishuar shumën e asistencës sociale për një muaj.

Kurti tha se zyrtarët publik do të marrin nga 50 euro nga muaji shtator, ndërsa punëtorët në ndërmarrjet publike 100 euro.

Sa i përket sektorit privat, Kurti tha se do të mbështesin secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50 përqind të rritjes së pagës për tre muaj.

Po ashtu, për studentët do të ndahen 100 euro për muajin nëntor. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, këtë pako të Qeverisë e ka konsideruar si ndihmesë të madhe për sektorë të ndryshëm të shoqërisë të cilët janë prekur nga rritja e inflacionit, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

“Qeveria sot ka bërë publike masat që janë ndërmarrë me një pako të dytë ekonomike në këtë gjashtëmujor për të ndihmuar sektorë të ndryshëm të shoqërisë që janë prekur nga ky inflacion. E vlerësoj se janë masa që ndihmojnë sektorë të ndryshëm të shoqërisë që mos të cenohen tutje nga kriza ekonomike në prag të stinës së dimrit”, u shpreh Osmani pas takimeve që pati me sindikalistët në përpjekje për të ndihmuar në zbutjen dhe eventualisht përfundimin e grevës në arsim.

Ndaj këtyre masave, një reagim pati edhe nga opozita. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një reagim publik, këtë pako e quajtën si përpjekje e kryeministrit Kurti për t’i mashtruar qytetarët.

“Paqja sociale nuk blehet me 50 e as me 100 euro. Qeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjet vetullat këtij populli. Këto masa që sot janë propozu nga Qeveria, janë vërtetë mashtrim i ultë që iu bëhet qytetarëve të vendit me paratë publike”, thuhet në reagimin e tyre.

Komento: