Kurti e Haxhiu ia çojnë vettingun në zyrë, Konjufca: Jetik votimi dhe implementimi i tij

12:39 | 04 Shtator 2022

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e çuan në Kuvendin e Kosovës dosjen e vettingut në drejtësi. Atë ia dorëzuan kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Konjufca përmes një postimi në Facebook tha se vettingu është reformë e domosdoshme.

“Sot e pata kënaqësinë t’i takoj Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Albin Kurti dhe Ministren e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, të cilët e dorëzuan në Kuvend dosjen me dokumentet përkatëse për procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë. Procesi gjithëpërfshirës i vetingut, siç e kemi theksuar njëzëri, është një reformë e domosdoshme për sundimin e ligjit. Kjo është po ashtu një kërkesë shoqërore e kahmotshme për Kosovën”, shkroi Konjufca.

Kryeparlamentari e cilësoi jetik për mbarëvajtjen e shtetit votimin dhe implementimin e vettingut.

“Krijimi, votimi dhe implementimi i tij është një hap jetik për mbarëvajtjen e shtetit dhe njëra nga reformat më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë që e ngrit efikasitetin dhe profesionalizmin”, shkroi Konjufca.

“Si i tillë, procesi i vetingut do ta forcojë sistemin e drejtësisë, i cili ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Komento: