Presidenca sllovene tregon arsyen e vizitës së Pahorit në Kosovë, përpos Osmanit takohet edhe me Kurtin

12:07 | 07 Shtator 2022

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.

Pahor përpos me presidenten Osmani, pritet të takohet edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Në një përgjigje për Reporteri. net, nga Zyra e Pahorit kanë thënë se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është përgatitja për takimin e liderëve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni, i cili do të mbahet më 12 shtator në Slloveni.

“Qëllimi i takimit të tyre janë përgatitjet për takimin e liderëve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni, i cili do të mbahet më 12 shtator në Slloveni”, kanë thënë nga Presidenca Sllovene në një përgjigje për Reporteri.

I pari i Sllovenisë fillimisht do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, në ora 15:00, për t’u takuar më pas edhe me kryeministrin Kurti në ora 16:25.

Kujtojmë se para pak ditësh, Pahor qëndroi në Beograd, nga ku, ndërsa foli për dialogun Kosovë-Serbi, kërkoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Kosova.

Vetë Pahor ka thënë se në Prishtinë pritet të sjellë disa mesazhe të rëndësishme për procesin e dialogut me Serbinë.

“Sa herë i kam vizituar miqtë e mi në Prishtinë, u kam thënë se duhet të formohet Asociacioni i Komunave Serbe nëse duam që një proces të jetë i besueshëm”, kishte deklaruar ai.

“Në Prishtinë, së pari, do të them se çështjet e mbetura aktuale, në shtator dhe tetor, duhet të zgjidhen me dialog, dhe së dyti, dialogu duhet të jetë më ‘i gjallë’, mendoj se ka shumë mosbesim”, kishte thënë Pahor.

Komento: