Te parku në Sllatinë një burrë i drejtohet tetëvjeçares me “A po vjen shetisim në pisha?”

20:30 | 10 Shtator 2022

Një alarm për mundësi të keqtrajtimit të fëmijëve është ngritur nga Parku Rekreativ “Te Pishat” në Sllatinë të Fushë-Kosovës

.

Ky paralajmërim edhe disa ditë pasi një 11-vjeçare dyshohet se u dhunua nga pesë persona brenda një dite në kryeqytet.

Ky park rekreativ ka dalë me një njoftim në Facebook, duke u bërë thirrje prindërve që t’i mbajnë fëmijët në afërsi apo në vëzhgim gjatë shëtitjes në Park.

Ky paralajmërim erdhi pasi të premten një prind ka shpëtuar të bijën e tij tetëvjeçare nga një keqtrajtim i mundshëm nga një person i panjohur dhe qëllimkeq, kështu thuhet në njoftimin e tyre.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 19:00.

“Ky person i panjohur ka shfrytëzuar kohën e mbrëmjes afër një makine të parkuar për t’u fshehur, dhe i ka bërë thirrje vajzës tetëvjeçare ‘a po vjen shëtisim në Pisha?’ Fëmija ka qenë 10 metra larg prindit, me vrap ka shkuar dhe i ka treguar prindit se ‘një axhë më tha hajde shëtisim, por unë nuk e njoha e as nuk është shok i babit’”, thuhet në njoftimit e Parkut.

Siç thuhej tutje në njoftim, prindi e ka kërkuar personin e panjohur, por ka qenë e pamundur ta takojë.

“Ky burrë është i moshës mesatare. Nuk kemi përshkrim më të detajuar, pasi pishat janë të dendura, ndriçim adekuat nuk ka, kamera vëzhgimi nuk ka dhe mundësia për fshehje dhe ikje është e madhe”, thuhet në reagim.

“Te Pishat” u ka bërë apel të gjithë vizitorëve që për çdo rast të dyshimtë të lajmërojnë organet kompetente.

Komento: