
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës sesionin vjeshor.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova po kalon nëpër një vit të vështirë që do të mbahet mend, i shkaktuar nga kriza të njëpasnjëshme.
Sipas tij, këto kriza po gjejnë terren të lirë për të lulëzuar për shkak të kësaj qeverie të paaftë.
“Kjo qeveri më shpejt se mund të imagjinohet është akomoduar në kolltukët e pushtetit dhe po mendojnë që qytetarët po jetojnë mire. Duke qenë se e kanë humbur komunikimin me qytetarët krizën po e shohin si luftë politike’, ka thënë ai.
Sipas tij, çmimet kanë ndjekur një trend të shpejtë të rritjes të ardhurat e qytetarëve kanë rënë.
Krasniqi ka thënë se rritje të hyrave ka pasur vetëm Qeveria, pasi sipas tij po shfrytëzon situatën e inflacionit për ta mbushur buxhetin e shtetit.
“Ne kërkojmë nga qeveria ta pranoje faktin që në Kosovë ka krizë ekonomike dhe të shfrytëzojë instrumentet në dispozicion për t’i ndihmuar qytetarët ta përballojnë krizën. Kërkojmë t’i marrë 5 masa: Të lirohen nga TVSH-ja të gjitha produktet esenciale, të lirohen nga akciza produktet e naftës, të lirohet energjia elektrike nga TVSH-ja dhe të subvencionohen 25 për qind faturat e energjisë, të rriten pagat për aq sa është norma e inflacionit dhe të lejohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga trusti”, ka thënë ai.