Thaҫi vendos të emërojë anëtarët e ri të KQZ-së, zgjidhet edhe problemi me opozitën

19:09 | 26 Mars 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҫi tashmë ka marrë vendim që të emëroj anëtarët e ri të Komisionit Qëndror Zgjedhor.

E tani duket se është zgjidhur edhe problemi tjetër i opozitës. LDK’së dhe Vetëvendosjes, në fund Thaçi, ka vendosur t’ua marrë nga dy nominime.
Katër të opozitës dhe katër të minoriteteve, i bie që partive të koalicionit i kanë mbetur vetëm dy vende në KQZ.

Ndryshimet në Grupe Parlamentare kanë krijuar paqartësi të tjera. PSD po ashtu mban shpresë se do të ketë një anëtar në Komisionin Zgjedhor.
Pas presionit të opozitës, të ndihmuar së fundmi edhe nga Ambasada Amerikane, Presidenti Hashim Thaçi ka vendosur që të enjten të zhbllokojë Komisionin Qendror Zgjedhor.

Përveç që nuk po zhbllokonte KQZ’në, Lidhja Demokratike kishte edhe një ankesë tjetër. Presidenti Thaci u kishte kërkuar vetëm një nominim për ta dekretuar, ndërkaq LDK thoshte ashtu siç e qartëson Kushtetuta, atyre u takojnë dy vende në KQZ.

Sami Hamiti ka konfirmuar se dy të nominuarit e LDK’së janë ftuar nga Presidenti për dekretim të enjten.

“Ne jemi dy të nominuar, dhe të dyve na ka ftuar presidenti të enjten për dekretim” , ka thënë Sami Hamiti.

Bashkë me të i nominuar nga Lidhja Demokratike është edhe Florian Dushi.

LDK ka akuzuar se Thaci po zvarrit procesin e emërimit të anëtarëve të ri të KQZ’së, pasi i konvenon përbërja aktuale që e vë në favor koalicionin e tanishëm qeverisës.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

Gazeta Express mëson se zyrtarë të Presidencës i kanë kërkuar PDK’së një nominim për ta dekretuar Presidenti si anëtar të KQZ’së.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se Ilir Gashi është i nominuari i partisë së tij, duke mos treguar se a do t’i dërgojnë nominimet si PAN, apo si Grupe Parlamentare të ndara.

“Në emër të PDK’së ne e kemi nominuar kandidatin tonë, z. Ilir Gashi”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Express.

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes që është ndarë pas zgjedhjeve të 2017’ës,

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka treguar për Gazetën Express se kanë dy të nominuar për anëtarë të KQZ’së, Adnan Rrustemin dhe Nazlije Balajn.

Të dy anëtarët e Vetëvendosjes janë ftuar në Zyrën e Presidentit të enjten kur bëhet dekretimi.

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate thotë se kanë çuar një emër si nominim për përfshirje në KQZ, ndërsa po presin dekretin e Presidentin.

“Sapo të bëhet zyrtare që presidenti nuk ka ftu përfaqësuesin tonë, do të dalim me një qëndrim”, ka thënë Kuci për Gazetën Express.

Komisioni Qendror Zgjedhor përbëhet prej 10 anëtarëve, plus kryesuesit.

Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e emëron Presidenti i Republikës së Kosovës nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatave me jurisdiksion apeli.

Përveç gjashtë anëtarëve nga grupet parlamentare shqiptare, një anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin serb të Kosovës dhe tre anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.

Komento: