Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill ka deklaruar se SHBA-të mbështesin Bashkimin Europian në përpjekjet për të arritur një zgjidhje në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ky problem ka shkuar gjatë dhe duhet zgjidhur
.
“Ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë dhe është koha për përparim”, u tha Hill gazetarëve në Forumin Rajonal për Evropë dhe Euroazi në Beograd.
Ambasadori amerikan nuk ka komentuar planin e pretenduar për kornizën e re të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë që është hartuar me angazhimin e të dërguarve gjermanë dhe francezë.
“Nuk më takon mua të komentoj propozimet, përveçse të them se SHBA-ja mbështet BE-në e cila po përpiqet shumë të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe kjo nuk është e lehtë”, tha Hill.
Pretendimet për një kornizë të re të dialogut në Bruksel i plasoi në publik për herë të parë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ndërsa përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak u shpreh i befasuar nga njoftime të tilla.