Pesë propozimet e PDK-së për dalje nga kriza ekonomike, Mustafa jep detaje

15:56 | 19 Shtator 2022

Partia Demokratike e Kosovës sërish ka bërë thirrje te Qeveria e Kosovës që t’i shqyrtojë propozimet e tyre në lidhje me përballjen e krizës ekonomike.

Zyrtari i PDK-së, Arben Mustafa, ka folur për hollësirat e propozimeve të Memli Krasniqit në Kuvendin e Kosovës, për të cilën tha se paraqet kornizë të dinjitetshme dhe gjithpërfshirëse për të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Masat e Qeverisë së Kosovës, Mustafa i quajti “jo serioze dhe përjashtuese”, dhe të cilat nuk i përfshijnë të gjitha kategoritë shoqërore.

Propozimet e PDK-së janë si vijojnë më poshtë:

Të lirohen nga TVSH-ja të gjitha mallrat esenciale të konsumit për një periudhë gjashtë-mujore. Duke marrë parasysh se kostoja mesatare e shportës së produkteve ushqimore esenciale për një familje kosovare është rreth 422 euro, nga kjo masë një familje mesatarisht do të përfitonte një zbritje të kostos së jetesës prej 33,76 euro në muaj.

Të lirohen nga akciza produktet e naftës për një periudhë gjashtë-mujore, gjë e cila do të ulë çmimin e naftës për 36 centë në litër. Duke supozuar një shpenzim mujor prej 60 litra naftë në muaj për një familje, atëherë përfitimi direkt mesatar mujor nga kjo masë do të ishte 21.6 euro në muaj.

Të lirohet nga TVSH-ja konsumi i energjisë elektrike për një periudhë gjashtë-mujore dhe të subvencionohen me 25% faturat e atyre që konsumojnë deri në 1200 kwh. Duke marrë për bazë një faturë prej rreth 90 euro që rezulton nga një konsum i tillë, atëherë vlerësojmë se përfitimi mujor nga kjo masë për një familje do të jetë 27.9 euro.

Të rriten pagat, pensionet dhe ndihmat sociale për të paktën aq sa është norma mesatare e inflacionit (rreth 15%). Nëse e marrim për bazë pagën mesatare prej 484 euro sa ka qenë në vitin 2021, atëherë përfitimi mujor nga kjo masë për punonjësit do të ishte rreth 72.6 euro në muaj.

Të lejohet tërheqja deri në 30% e kursimeve pensionale dhe të rimbursohet gradualisht shuma e tërhequr për kontribuuesit që kanë më pak se 10,000 euro në llogaritë e Trust-it.

Komento: