Qeveria e Republikës së Kosovës në orët e vona ka mbajtur mbledhjen e 97-të, në të cilën ka aprovuar gjashtë vendime.
Sipas komunikatës së ZKM’së, eshtë miratuar vendimi për ndarje të mjeteve buxhetore në vlerë prej 19 milionë eurove, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, në kuadër të masës 3.7
– Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike. Mjetet e ndara do të përdoren për subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, e cila do të reflektohet në faturat e konsumatorëve. Po ashtu, në kuadër të masës 3.7
– Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, janë ndarë 6 milionë euro, me qëllim subvencionimin e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndalimin e eksportit dhe ri-eksportit të produkteve të drurit si lëndë djegëse. Ky ndalim është i përkohshëm dhe në përputhje me Tarifën e Integruar të Kosovës (TARIK) të vitit 2022.
U aprovua edhe vendimi për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për muajin shtator 2022, në kuadër të zbatimit të masës 3.2- Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Me vendim të Qeverisë, janë shpallur me interes të veçantë publik pronat e paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e Projekteve infrastrukturore për interes publik” në zonat kadastrale: Bërnjak dhe Jasenovik i Epërm në Komunën e Zubin Potokut.
Po ashtu, është miratuar plotësimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.01/85 të datës 29 qershor 2022, lidhur me afatin e regjistrimit të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, që do të vazhdojë deri më 31 tetor 2022.