
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga qyteti i Gjilanit ju ka dërguar mesazh kundërshtarëve politik se partia e tij po rritet.
Ai ka thënë se LDK nën udhëheqjen e tij e ka dyfishuar përkrahjen qytetare, por megjithatë ju ka bërë me dije bashkëpartiakëve se nuk duhet të vetëkënaqen me këtë.
“Përkundër progresit të jashtëzakonshëm në këtë kohë të shkurtër them se dyfishimi jonë në mbështetje s’duhet të na mjaftojë. Ne duhet të përmirësohemi e rritemi edhe më tutje. Ne duhet të mësojmë nga gabimet e shkuara e të ndërtojmë të ardhmen që shtëpia jonë politike e vendi ynë e meriton. Për ta bërë këtë përmirësim të mirëfilltë, ne nuk mund të qëndrojmë larg qytetarëve tanë dhe larg brengave të tyre”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai tutje ka pohuar se nga Gjilani nis takimi me qytetarët në çdo qytet e fshat të vendit.
“Hapja jonë, përmirësimi ynë, respektimi i vlerave të mira e të drejta brenda partisë, vënia në pah e resurseve më të mira njerëzore që i kemi si parti, do të vazhdojë me këmbëngulësi. Duke thënë se strukturat dhe qytetarët, kanë ngritur me të drejtë nevojën që LDK të kthehet në bazë, tek qytetarët. Qytetarët kanë kërkuar me të drejtë që shpërthimi i rritjes politike të shndërrohet një mobilizim gjithënacional. Në Gjilan, po fillon cikli i takimeve me njerëzit në të gjithë Kosovën – në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje”, ka deklaruar ai.