SBAShK-u letër deputetëve, kanë një kërkesë për ta

09:50 | 28 Mars 2019

SBAShK-u përmes një letre u është drejtuar deputetëve të Kosovës, duke u kërkuar të mbrojnë Ligjin dhe mos të cenojnë pavarësinë e gjykatave.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sot u ka dërguar një letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku ka kërkuar nga ta që ta mbrojnë Ligjin dhe të mos e cënojnë pavarësinë e gjykatave

Kjo letër e SBAShK’ut ka ardhur për shkak se sot në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për gjendjen në arsim e cila u krijua pas grevës së mësimdhënësve.

“Deputetë të nderuar ju sot është më mirë të diskutoni për mungesën e kabineteve të informatikës, kimisë, fizikës e lendeve të tjera, për mungesën e sallave të edukatës fizike, për gjendjen e mjerë të nyjave sanitare , pra për mungesën e kushteve elementare të punës në shumicën e shkollave të Kosovës se sa të merreni me një vendim jo ligjor të Ministrit Bytyqi”, thuhet në letrën e SBAShK;ut dërguar deputetëve.

SBAShK’u shkruan se Ligji për grevat I Republikës së Kosovës e njeh grevën si veprim demokratik dhe nuk I obligon grevistët që orët apo ditët e humbura në grevë të kompensohen.

“Ministri Bytyqi nxori një vendim të pabazuar në ligj dhe bashkë me një pjesë të Drejtorëve të Drejtorive Arsimore e të disa shkollave filluan një presion të paparë ndaj mësimdhënësve për kompensim të orëve të humbura në grevë. SBASHK duke e konsideruar me të drejtë këtë vendim jo ligjor ngriti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke kërkuar që institucioni i drejtësisë të vlerësojë ligjshmërinë e këtij vendimi dhe SBASHK-u publikisht është deklaruar se do ta respektojë verdiktin e gjykatës. Mendojmë se çdo diskutim më parlament në dobi të vendimit joligjor të Ministrit Bytyqi do të ishte ndërhyrje dhe presion në institucionin e drejtësisë”, theksohet në mbledhjen e SBAShK’ut.

Ministri i Arsimit, Shyqri Bytyqi ka marrë vendim që orët e humbura gjatë grevës së mësimdhënësve të kompensohen, ndërkaq SBAShK’u nuk po e pranon këtë. Kjo ka shkaktuar përplasje në mes MAShT’it dhe SBAShK’ut, ku këta të fundit kanë dorëzuar padi në Gjykatë.

Komento: