Ja si do të ndikojë në ekonomi mbyllja e lojërave të fatit

22:54 | 28 Mars 2019

Vendimi i Kuvendit të Kosovës është konsideruar edhe si kundër-ligjor.

Kuvendi i Kosovës sot me 69 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka votuar për Shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit – ku edhe është vendosur të mbyllen të gjitha lojërat e fatit.

Iniciativa për mbylljen e lojërave të fatit është nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës pas vrasjeve që ndodhën në Kosovë në dy kazino, shkruan lajmi.net.

Kjo iniciativë është përkrahur nga të gjitha partitë në Kosovë, me përjashtim të disa deputetëve të cilët kishin vërejtje në lidhje me këtë vendim.

Milaim Zeka, në debatin e Kuvendit e ka quajtur vendimin për shfuqizimin e lojërave të fatit si veprim kriminal dhe anti-biznes.

Ky vendim i Kuvendit të Kosovës është konsideruar edhe si kundër-ligjor. Avokati Arianit Koci në një emision televiziv para disa ditësh është shprehur se është kundërligjore të mbyllen brenda natës.

“Ka biznese që kanë investuar sepse ka qenë një ligj. Të mbyllen brenda natës, është kundërligjore. Në lojëra të fatit shumica e investitorëve janë të huaj. Me ndalim të lojërave të fatit do të zhvillohet informaliteti”, ka thënë Koci.

Por a dëmtohet ekonomikisht vendi nga mbyllja e lojërave të fatit në mungesë të një ekspertize ekonomike?

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një prononcim për lajmi.net lidhur me lojërat e fatit është shprehur se Kosova është shndërruar në një hapësirë eksperimentale.

“Është mëse e vërtetë që Kosova është shndërruar në një hapësirë eksperimentale ku ligjet bien shumë më tepër për interes të grupeve të caktuara sesa në interes të shtetit. Është e vërtetë se po dëshmohet çdo ditë e më tepër që Kosovës i mungon një plan zhvillimor nacional ose një strategji zhvillimore”, është shprehur Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka shpjeguar gjithashtu se në shtete të ndryshme burimet e financimit vijnë edhe nga lojërat e fatit, mirëpo politizimi dhe kriminalizimi i këtyre lojërave është e pavolitshme.

“Dokumenti i tillë draftohet atëherë i ka shtyllat në të cilat duhet të implementohet dhe ku do të jenë burimet e financimit dhe në këtë drejtim një ndër burimet e shteteve normale është edhe nga lojërat e fatit. Mirëpo në këtë drejtim, fakti që në Kosovë këto lojëra janë politizu, këto lojëra janë kriminalizu vërtetë është një situatë që është mjaftë e pavolitshme”, tha më tutje Gërxhaliu për lajmi.net.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu gjithashtu ka potencuar se mbyllja nuk është e vetmja zgjidhje, por ajo çka duhet është sundimi i rendit dhe ligjit.

“Nuk është zgjidhje vetëm mbyllja, ajo çka i duhet Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, të kemi monitorim nga ana e sistemit të drejtësisë. Për mu ka qenë e habitshme që në Kosovë ka pasur aq shumë lojëra të fatit të cilat kanë qenë pa kritere. Prandaj kushti i parë është përcaktimi i kritereve, kushti i dytë është monitorimi dhe kushti i tretë është të ketë transparencë sepse mbyllja nuk është zgjidhje”, është shprehur Gërxhaliu.

Gërxhali ka thënë se buxheti i Kosovës gjatë vitit 2018 dhe 2019 është goditur në forma të ndryshme dhe goditja që i vjen nga mbyllja e lojërave të fatit është barrë që godet Kosovën.

Ai madje, këto goditje që i kanë ndodhur buxhetit të Kosovës, i konsideron edhe si pengesë për rritjen e ekonomisë prej 4 për qind siç është premtuar.

“Dhe duke marrë parasysh që në vitin 2018 dhe vitin 2019 buxheti i Kosovës ka qenë i goditur në forma të ndryshme, siç është rasti me Bektelin, qoftë përmes padive të ndryshme, qoftë MSA, qoftë ajo me taksën 100 për qind, prandaj nëse edhe në këtë drejtim do të goditet buxheti me disa dhjetra miliona euro, është barrë që do ta godet drejtpërdrejtë Qeverinë e Kosovës dhe ajo që është premtuar si rritje prej 4 për qind e ekonomisë mund të jetë vetëm dëshirë”, ka thënë në fund Gërxhaliu.

Iniciativa për mbylljen e lojërave të fatit ka filluar pas vrasjeve që kanë ndodhur në kazino në Kosovë.

Policia e Kosovës, e mbështetur edhe nga Dogana e Kosovës dhe institucione të tjera ka mbyllur nëpër Kosovë të gjitha lokalet e lojërave të fatit dhe ka konfiskuar shumë aparaturë që ka shërbyer për këtë aktivitet.

Ndërkohë që sonte Kuvendi i Kosovës, përfundimisht ka votuar pro mbylljes së këtyre lokaleve.

Komento: