Marrëveshje deri më 24 shkurt? Vuçiq: QUINT kërkoi takim urgjent, s’na dhanë mundësi

22:42 | 20 Tetor 2022

Presidenti serb, Aleksander Vuçiq ka paralajmëruar se presionet ndaj tij të ndërkombëtarëve do të rriten me të madhe për përfundimin e çështjes së dialogut me Kosovën.

Ai tha se Perëndimi është i interesuar që kësaj çështjeje t’i jap epilog sa më shpejtë, shkruan lajmi.

“Presionet ndaj Serbisë do të rriten, do të rriten sepse të gjithë duan t’i jepet fund sagës së Kosovës, që të mos ngecin me përgjigjet që duhet t’u japin rusëve . Të gjithë i referohen precedentit të Kosovës gjithnjë e më shpesh dhe për këtë arsye Perëndimi kujdeset për zgjidhjen e tij sa më shpejt dhe nuk do të zgjedhë mjetet për ta zgjidhur atë”, tha Vuçiq.

Ai komentoi edhe një raportim të bërë nga Albanian Post, media shqiptare, mbi modalitetet e arritjes së marrëveshjes mes dy vendeve.

Vuçiq tha se QUINT ka kërkuar takim urgjent me të dhe supozon se atij do t’i sillet ajo çfarë është raportuar në media, e që përfshinë arritjen e marrëveshjes deri më 24 shkurt më së largu, që koincidon me datën kur ka nisur lufta në Ukrainë.

“Dhe pastaj e shoh sonte, që QUINT kërkoi një takim urgjent me mua. Unë supozoj se do të na sjellin atë që shqiptarët kanë paralajmëruar tashmë. Se ne duhet të biem dakord për gjithçka deri më 24 shkurt. Unë njoha edhe simbolikën e dates, pra kur filloi lufta në Ukrainë. Dhe shihni se teksti, me kompetencat e Asociacionit, është propozuar nga organizata gjermane që kanë pasur një takim në Beograd me përfaqësues të disa organizatave vendase. Është e qartë se ata do të kërkojnë një lloj zgjidhjeje dhe asgjë nuk duhet refuzuar paraprakisht, por ajo që kam parë deri tani është shumë e vështirë për Serbinë. Nëse do të duhej të vendosja në këtë moment, ata nuk na dhanë mundësi”, tha Vuçiq.

Komento: