Tre javë pa ministër të Shëndetësisë, çka thotë Qeveria

22:33 | 28 Tetor 2022

Gati një vit pas emërimit, më 6 tetor, Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.

Tashmë janë bërë më shumë se tri javë që ky dikaster udhëhiqet me ushtrues detyre.

Edhe pas kësaj kohe, kryeministri Albin Kurti duket se nuk ka gjetur personin e duhur për t’ia besuar atë pozitë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për Indeksonline thotë se ende nuk është vendosur për ministrin e ri.

“Ministria e Shëndetësisë aktualisht drejtohet nga ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, dr. Dafina Gexha Bunjaku, e cila ka një përvojë të gjatë në fushën dhe sektorin e shëndetësisë. Sa përket emrit të ri të kësaj ministrie, kurdo që për të të vendoset, do të njoftoheni me kohë”, u shpreh Kryeziu.

Dorëheqja e tij erdhi disa javë pasi kryeministri Albin Kurti e themeloi Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi të cilin po e udhëheq vetë ai.

Latifi, që nga koha e emërimit në këtë pozitë, ishte kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile për udhëtime të shpeshta jashtë vendit si dhe neglizhim të punës në këtë ministri.

Kurti e kishte emëruar Rifat Latifin ministër të Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Arben Vitisë, për shkak të angazhimit të tij si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Komento: