Pas shkarkimit nga detyra e zëvendësministres se Bujqësisë, Vesna Mikiq i është drejtuar Kryeministrit Haradinaj me një letër të hapur.
Përmes kësaj letre, Mikiq ka treguar arsyet e vërteta pse është shkarkuar nga qeveria e Kosovës.
Ajo ka thënë se nuk është e vërtetë se është shkarkuar për shkak të shkrimit të saj për NATO-n, por për shkak se qëllimi i Haradinajt ishte për t’i larguar përfaqësuesit serbë të zgjedhur në mënyrë legjitime dhe të cilët mendojnë me kokën e tyre.
“Ky veprim reflekton tendencën tuaj të hapur për të qenë i rrethuar nga serbë të ngjashëm të cilët, për arsye personale, do të ndjejnë të gjitha fyerjet dhe gënjeshtrat që ju i paraqisni në baza ditore në kurriz të popullit tim, që do të flasin vetëm atë që ju ua lejoni. Pra, e vërteta, sipas jush, është vetëm ajo që ju përshtatet dhe ajo që vetëm ju dëshironi ta dëgjoni”, thuhet në letrën e Mikiq
“Të nderuar përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, është koha kur duhet ta pyesni seriozisht veten nëse jeni duke parë padrejtësinë që njerëzit e mi janë duke vuajtur në Kosovë për 20 vjet”, shkruan tutje Mikiq.
Kujtojmë se kryeministri Haradinaj kishte shkarkuar Mikiq nga posti i zëvendësministres, vetëm një ditë pasi, kjo e fundit, foli kundër sulmeve të NATO-s të kryera para njëzetë vitesh, në kohën kur Serbia vrau mbi dhjetë mijë njerëz, dëboi më shumë se një milion shqiptarë nga Kosova dhe dogji gjysmën e Kosovës.