A do të ketë kompensim të orëve gjatë pushimit pranveror, SBASHK-u jep lajmin

14:02 | 31 Mars 2019

Ҫështja e kompensimit apo jo të orëve të humbura mësimore, po vazhdon të diskutohet.

SBASHK-u ka bërë të ditur se nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura në grevë as gjatë pushimit pranveror.

Sindikata përmes një komunikate për media, njofton prindërit, nxënësit, por edhe opinionin e gjerë se mësimdhënësit pavarësisht a janë në vendin e punës a jo zhvillim të procesit mësimor për t’i zëvendësuar ditët e humbura të grevës nuk do të ketë.

“Me qëllim që të njoftohet edhe një herë opinioni, SBASHK-u përsërit se pushimi pranveror nga data 1 deri më 5 prill 2019 do të fillojë sipas Kalendarit shkollor 2018-2019, aprovuar në fillim të vitit shkollor, pra, s’ka zëvendësim të orëve të humbura as gjatë pushimit pranveror e as vikendeve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se, gjatë dy ditëve të fundit është tentuar që të krijohet një paqartësi nga ndonjë këshill i prindërve duke ju bërë thirrje prindërve që të dërgojnë fëmijët në shkollë pasi që mësimdhënësit qenkan në shkollë.

“Nuk është mirë të krijohen tensione shtesë sepse edhe kështu mësimdhënësit e Kosovës janë tepër të revoltuar e sidomos pas fyerjeve që u bënë nga dy deputetët e Kuvendit të Kosovës ditën e enjte në seancën e jashtëzakonshme e aq më shumë pse prindërit nuk reaguan në mbrojtje të mësimdhënësve të fëmijëve të tyre”, thuhet me tej në njoftim.

“SBASHK-u të hënën ka ftuar Kryesin e SBASHK-ut dhe kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar të të gjitha komunave me qëllim që të analizojë se si është situata gjatë pushimit pranveror dhe a ka presione ndaj anëtarësisë dhe varësisht nga informatat që marrim edhe do të marrim veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe shpalljen e grevës në komunat ku ka presione e nëse presione do të ketë në shumicën e komunave do të shkohet në grevë të përgjithshme në nivel vendi”.

“I ftojmë mësimdhënësit nëse nesër, eventualisht bëhet presion përmes nxënësve me tentim që të hyjnë në klasa, gjoja për të zhvilluar mësim, në ato momente mësimdhënësit le të lëshojnë objektet shkollore në shenjë proteste”.

SBASHK edhe përmes kësaj informate fton përsëri kryetarët e komunave të Kosovës të bisedojnë me drejtorët e DKA për t’i lënë të qetë mësimdhënësit e mos të ushtrojnë presione për zbatimin vendimit te ministrit Bytyqi deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Gjithashtu falënderojmë disa Kryetar të Komunave qe kanë mirëkuptuar kërkesat e SBASHK-ut.

Komento: