Loriana Kuka nuk ndalet, fiton medaljen e artë në Grand Prix në Tbilisi të Gjeorgjisë

15:58 | 31 Mars 2019

Xhudistja kosovare, Loriana Kuka, ka arritur edhe një sukses të madh në karrierën e saj.

Kuka ka triumfuar në Grand Prixin e mbajtur në Tbilisi të Gjeorgjisë. Ajo ka garuar në kategorinë -78 kilogramë.

Kuka e ka nisur me fitore këtë turne, duke triumfuar në garën e saj të parë që ishte e vlefshme për raundin e dytë, kundër xhudistes indiane, Rani Rani, shkruan lajmi.net.

Kuka arriti që në çerekfinale ta mposhte holandezen Ilona Lucassen, me IPPON, për të kaluar në gjysmëfinale, ku do ta priste xhudisten franceze Posvite, për ta mposhtur 1:0 me pikë.

Në luftën e fundit dhe më të rëndësishmën, vajza nga Kosova është përballur me xhudisten kubaneze Kaliema Antomarchi, të cilën gjithashtu arriti ta mposhte, me IPPON, për të siguruar medaljen e artë në këtë turne.

Kjo është medalja e dytë për Kosovën në garat e Grand Prix Tbilisi, pasi edhe Nora Gjakova arriti të triumfonte në kategorinë e sajë.

Komento: