Zbulohet pse Spalletti e la jashtë skuadrës Icardin kundër Lazios

17:33 | 31 Mars 2019

Icardi nuk do të luajë sonte kundër Lazios.

Mediat italiane kanë hedhur dritë mbi vendimin e trajnerit Luciano Spalletti për të mos grumbulluar sërish Mauro Icardin për sfidën ndaj Lazios, ndonëse prezenca e ish kapitenit, ishte aq e domosdoshme, duke parë mungesën edhe të Lautaro Martinezit.

Argjentinasi ishte rikthyer prej rreth 10 ditësh të stërvitej me skuadrën dhe të gjithë gatishmërinë e tij për sfidën ndaj bardhekaltërve, por tekniku Spalletti i habiti të gjithë, duke njoftuar se Icardi nuk është ende gati.

Sipas mediave në Itali, tekniku ka njoftuar vetëm të shtunën në mëngjes Marottën se nuk do të grumbullojë Icardin, ndërsa administratori nuk ka mundur të ndërhyjë në këtë pikë, pasi i ka premtuar Spallettit rolin e liderit në dhomat e zhveshjes.

Megjithatë mësohet se shkak për këtë vendim, ka qenë fakti që Icardi nuk ka kërkuar ndjesë ndaj shokëve të skuadrës, ndonëse vetë Spalletti ia kishte kërkuar në mënyrë indirekte diçka të tillë të premten pasdite.

Pas përfundimit të analizës video, tekniku kishte pyetur Icardin nëse ka ndonjë gjë t’u thënë shokëve të skuadrës, por argjentinasi është përgjigjur se gjithçka e kishte sqaruar me shoqërinë dhe se nuk kishte asgjë për të sqaruar me shokët.

Pikërisht mungesa e ndjesës nga ana e Icardit, ka shtyrë Spallettin drejt vendimit ekstrem, që rrezikon të hedhë poshtë më tepër se një muaj negociata mes palëve dhe t’i rikthejë ato në llogoret respektive.

Komento: