Inter pëson humbje, Lazio i afrohet zonës Champions

22:35 | 31 Mars 2019

Interi ka zhgënyer përsëri.

Me rezultat 1-0, Lazio e ka mposhtur Interin në ndeshjen e javës së 29-të në kampionatin italian që u zhvillua në Giuseppe Meazza.

Nerazzurrët e nisën më mirë takimin në përpjekje që të shënonin duke e rrezikuar ekipin kundërshtar në minutat e para, sidomos përmes Ivan Perisic që u ndal nga Thomas Strakosha.

Mirëpo, ishin Biancocelestët ata që shënuan. Luis Alberto dërgoi një harkim të mirë në zonë, të cilin e priti Sergej Milinkovic-Savic për të shënuar me kokë (13′).

Në fund të pjesës së sa parë, Bastos dhe Luis Alberto rrezikuan nga njëra anë, kurse Keita Balde nga ana tjetër, ku sërish Strakosha nuk lejoi të prekej porta e tij.

Felipe Caicedo pati një mundësi për mysafirët në gjysmën e dytë, derisa Matteo Politano e pati një rast të mirë për vendasit.

Deri në fund të ndeshjes, zikaltrit nuk arritën të shënonin në portën e Strakoshës, ashtu që vizitorët arkëtuan tri pikë nga udhëtimi në Milano.

Pas xhiros së 29-të në Serie A, Interi është në vend të tretë me dy pikë më shumë se Milani që ndodhet një pozitë më poshtë, ndërsa Lazio është në vend të pestë (vetëm tri pikë larg vendin që dërgon në Ligën e Kampionëve).

Në xhiron e ardhshme, Nerazzurrët udhëtojnë te Genoa, kurse Lazio luan si mysafir i Spalit.

Komento: