Sulmohet automjeti i Policisë në Leposaviq, të dyshuarit ikën nga vendi i ngjarjes

15:13 | 23 Janar 2023

Automjeti i Policisë së Kosovës është goditur sot nga një veturë në lëvizje duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë në Bistricë të Leposaviqit

.

Në këtë situatë policia thotë se për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri.

Policia njofton se sot në Bistricë të Leposaviqit, një njësi policore ka qenë e caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës.

Por, Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë një veturë, “e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”, njofton policia.

Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia njofton se hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

“Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftim.

Komento: