Qeveria miraton 11 rregullore

16:02 | 04 Shkurt 2023

Qeveria miraton 11 rregullore, përfshirë edhe kompensimin për kujdestari, punë gjatë natës e jashtë orarit.

Qeveria e Kosovës, në një mbledhje elektronike ka miratuar 11 rregullore, ku disa prej tyre kanë të bëjnë me kompensimin për udhëtime zyrtare dhe shpenzimet e përfaqësimit, kompensimin për kujdestari, punë gjatë natës e punë jashtë orarit të punës.

Në mbledhjen e 125-të, qeveria miratoi edhe rregulloren për shtesën për licencë të avancuar për nëpunësin e arsimit para-universitar e rregulloren për shtesën e nëpunësit të sistemit shëndetësor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar:

Rregulloren për Shtesën Funksionale për Krijuesin dhe Performuesin e Artit dhe të Kulturës. Rregulloren për Kompensimin e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, që Ushtrojnë Detyrën Jashtë Vendit. Rregulloren për Pagën Bazë dhe Përvojën në Punë për të Punësuarit në Sektorin Publik”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Po ashtu, në këtë mbledhje u miratua edhe rregullorja për shtesat për të punësuarit në sektorin publik, rregulloren për shtesën funksionale, rregulloren për kompensimin për funksionin shtesë dhe rregulloren për ekspertët që përcakton rregullat dhe procedurën për zbatim të shtojcës 14.4 të Ligjit për Pagat në sektorin publik.

Komento: