Kosova me 14 anesteziologë më pak se vitin e kaluar, krijohen listat e gjata për operime

11:01 | 07 Shkurt 2023

Listat e gjata për operime, Kosova me 14 anesteziologë më pak se vitin e kaluar.

Muajve të fundit, Kosova është përballur me krizën për anesteziologë, pasi numri i tyre ka rënë dukshëm, duke shkaktuar probleme të mëdha në sistemin e shëndetësisë. Sipas drejtorit të Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahija, tani në QKUK janë 45 anesteziologë, 14 më pak se në vitin e kaluar.

Spahija tha se 12 anesteziologë e kanë ndërprerë kontratën me QKUK-në gjatë vitit 2022, ndërsa një ka vdekur e një tjetër është pensionuar. Pra në krahasim me vitin e kaluar, Kosova këtë fillimvit ka 14 anesteziologë më pak.

Drejtori I Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahija ka thënë se mungesa e këtyre specialistëve do të ndikojë në shtimin e listës së pritjes, mirëpo nuk e tregon numrin e saktë të pacientëve në listën e pritjes.

Ai në një përgjigje për Gazetën Express tha thënë se gjatë vitit 2022 janë pranuar katër specialistë mirëpo dy prej tyre më pas e kanë lënë punën.

“Për momentin numri total i anesteziologëve në QKUK është 45. Me siguri që lista e pritjes së pacientëve do të shtohet edhe për shkak të mungesës së anesteziologëve. Klinika e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv mundohet të sigurojë në mënyrë proporcioanle anesteziologë për 40 njësi punuese dhe 4 njësi me shërbim 24 orësh pavarësisht nga numri i anesteziologëve prezent. Se sa është numri i saktë i pacientëve në listë të pritjes nuk mund ta themi. Në vitin 2022, 12 anesteziologë e kanë ndërprerë kontratën me QKUK-në, 1 anesteziolog ka ndërruar jetë, 1 është pensionuar, ndërsa janë pranuar 4 specialist të rinj, ku 2 prej tyre e kanë lëshuar punën me kërkesë të tyre”, tha Spahija për Gazetën Express.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, ka thënë se lista e pritjes në këtë klinikë për ndërhyrje në vena është 1 mijë e 200 pacientë.

“Për momentin dihet që nuk kemi vende të mjaftueshme për t’i shtrirë pacientët kur operohen, problem tjetër kyç kemi me mungesë të anesteziologëve. Jo që nuk po duan të punojnë, por nuk kemi staf. Në momentin që janë të pranishëm, unë i ngarkoj ata edhe kolegët. Me të vërtetë e kishim ulur numrin e listës së pritjes, sepse para katër vitesh kemi pas probleme me salla të operacioneve, dhe tash e kemi inauguruar sallën e tretë vetëm për vena që mos të shtohet lista e pritjes. Mandej, filloi pandemia që është një prej faktorëve që na stopoj për me shkurtu listën e pritjes, e më pastaj u zvogëlua numri i anesteziologëve, duke marrë parasysh që një pjesë e tyre e kanë lëshuar QKUK-në dhe kanë shkuar privat, dy apo tre prej tyre kanë vdekur nga Covid-19, dhe kështu që nuk kemi numër të mjaftueshëm të tyre”, tha ai për EO.

Komento: