Hajnat hyjnë në një shtëpi në Obiliq, pos gjërave tjera vjedhin edhe veturën Audi Q7 që ishte e parkuar në oborr

18:09 | 07 Shkurt 2023

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.

E cak i hajnave shpesh herë janë edhe veturat e parkuara në oborret e shtëpive ku hyjnë të kryejnë vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu e ka pësuar mbrëmë edhe një familje në fshatin Shkabaj të Obiliqit, ku persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë së tyre.

Sinjali mëson se pronari i shtëpisë ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se përpos gjësendeve të vjedhura në shtëpi, ata kanë marrë çelësat e veturës luksoze të tipit Audi Q7, e cila ishte e parkuar në oborrin e shtëpisë, të cilën e kanë vjedhur.

Po ashtu brenda veturës ka pasur edhe dokumente personale dhe para të gatshme në vlerë të rreth 400 eurove.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të mësohet identiteti i të dyshuarve.

Komento: