Paratë i mori, por veturën s’ia dha/ Arrestohet në Lipjan i riu që dyshohet për mashtrim

21:07 | 07 Shkurt 2023

Rastet e mashtrimit me shuma të mëdha parash nuk janë të rralla. Shumë herë kosovarët përfundojnë në Polici, ku kërkojnë ndihmë pasi bien pre e rasteve të tilla, që iu shkaktojnë humbje.

Kështu i ka ndodhur një personi në Pejë, i cili ka denoncuar rastin në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 31-vjeçari ka deklaruar se ka dhënë mbi 2 mijë euro për një veturë të cilën e kishte blerë nga i dyshuari L.K., nga fshati Baicë e Lipjanit.

Ndonëse paratë i kishte marrë, i dyshuari nuk ia kishte dhënë veturën e shitur ankuesit, i cili u detyrua që të kërkojë ndihmën e organeve të rendit.

Rasti është denoncuar në dhjetor të vitit të shkuar, mirëpo i dyshuari nuk ishte arrestuar deri më sot, për shkak se ndodhej në arrati.

Sinjali mëson se 34-vjeçari u kap sot në shtëpinë e tij në Baicë dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.

Komento: