Haradinaj takohet ministrin e Mbrojtes së Turqisë, e falënderoi mbështetjen në fushën e sigurisë dhe ekonomisë

17:59 | 04 Prill 2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti sot në takim ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar.

Ata kanë biseduar për zhvillimet politike në vend dhe rajon si dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar ministrin Akar për progresin e përgjithshëm në Kosovë, prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjendën e Reformave Evropiane, zhvillimin ekonomik, si dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka falënderuar ministrin Akar dhe shtetin e Turqisë për ndihmën dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, në të njëjtën kohë ka kërkuar mbështetjen edhe për proceset tjera zhvillimore dhe rrugën e integrimeve euroatlantike.

“Republika e Kosovës dhe Turqia kanë bashkëpunim të frytshëm dhe Kosova është e interesuar që edhe në të ardhmen ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në fushën e sigurisë dhe atë të ekonomisë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj e ka uruar ministrin Akar me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, duke e falënderuar atë për kontributin e personelit ushtarak e civil turk brenda KFOR-it për paqe dhe siguri në Kosovë.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, ka vlerësuar progresin e Kosovës në të gjitha fushat, duke thënë se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë, ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe integrimet euroatlantike të Kosovës.

Komento: